PËRCARKTIMET dhe KUSHTET E Kontratës së qirasë
Qiradhënësi EUROCAR RENTALS SH.P.K., regjistruar me Emrin Tregtar EUROCAR Rentals, i jep Qiramarrësit me qira automjetin, të dhënat e të cilit përshkruhen me detaje në faqen 1, me përcaktimet dhe kushtet që bëhen të ditura këtu, në këtë Kontratë Qiraje, që nënshkruhet nga Qiradhënësi – EUROCAR Rentals dhe Qiramarrësi. Qiramarrësi është i vetëdijshëm për detyrimin për të respektuar përcaktimet dhe kushtet e mëposhtme, për të cilat, nëse ka ndonjë paqartësi, duhet t’i kërkojë sqarime përfaqësuesit të Qiradhënësit, përpara se të nënshkruajë Kontratën e Qirasë.
- MARRJA DHE KTHIMI I AUTOMJETIT
Qiradhënësi jep me qira automjetin me dokumentat përkatëse për qarkullim, në gjendje të mirë teknike, me pamje të rregullt dhe pa të meta apo difekte të dukshme që mund të ndikojnë në sigurinë e lëvizjes. Nëse Qiramarrësi konstaton të kundërtën ai duhet tja bëjë këtë të ditur Qiradhënësit brenda 30 (tridhjetë) minutave nga marrja në dorëzim. Qiramarrësi pranon se ka kuptuar më së miri karakteristikat e automjetit të marrë me qira dhe merr përsipër ta përdorë automjetin në përputhje me kërkesat e kategorisë së tij.
Qiramarrësi merr përsipër të kthejë automjetin personalisht, të pacënuar, në të njëjtat kushte, në datën, orën dhe vendin e përcaktuar në faqen 1 të kësaj Kontrate. Kryerja e rregullt e procedurës së dorëzimit të automjetit të marrë me qira, mund të provohet vetëm nëpërmjet një kopjeje të vlefshme të kontratës, të nënshkruar nga përfaqësuesi i Qiradhënësit dhe Qiramarrësi, në pjesën “Kthimi i Automjetit” të “Procesverbalit të Marrjes në Dorëzim dhe Kthimit të Automjetit”, në faqen 1, të kësaj Kontrate.
- PËRGJEGJËSIA E QIRAMARRËSIT
Qiramarrësi merr përsipër ta përdorë automjetin me kujdes, të kujdeset për të dhe të marrë masa për ta ruajtur nga dëmtimet dhe konsumi i panevojshëm i pjesëve të tij si gomat, kutia e ndërrimit të shpejtësisë, frenat, freni i dorës, etj.
Qiramarrësi duhet të sigurohet që të përdorë llojin e përshtatshëm të karburantit, të kontrollojë gomat dhe trysninë brenda tyre, funksionimin normal të sinjaleve dhe dritave, si dhe nivelin e vajit e të lëngjeve të tjera, si dhe të kryejë plotësimin deri në nivelin e duhur nëse nevojitet.
Qiramarrësi merr përsipër që automjeti që ai merr me qira të mos jepet me nënqira, të mos përdoret për të tërhequr automjete apo sende të tjera, për gara, etj. Ai merr përsipër gjithashtu të mos e ngarkojë automjetin me pasagjerë, apo me sende jashtë kapacitetit të përcaktuar të tij. Qiramarrësi merr përsipër që të mos lejojë pirjen e duhanit brenda automjetit.
Qiramarrësi merr përsipër të mos lejojë që automjeti i marrë me qira prej tij të përdoret nga persona të tjerë, pa autorizimin përkatës me shkrim të Qiradhënësit, apo me autorizim të mbaruar, përfshirë këtu edhe vetë Qiramarrësin. Autorizimi është personal, vetëm për një automjet dhe ka afat të kufizuar. Qiramarrësit nuk i lejohet të udhëtojë në territore shtetesh të tjera pa me autorizimin përkatës, të shkruar, që lëshohet për këtë qëllim nga Qiradhënësi.
Qiramarrësi merr përsipër të furnizojë automjetin vetëm me karburant të përshtatshëm dhe të ruajë të gjithë kuponat tatimor të shitjes, deri në kthimin e automjetit, me qëllim që të mund ta vërtetojë nëse kjo kërkohet prej Qiradhënësit.
Në rast aksidenti, Qiramarrësi është i detyruar të njoftojë menjëherë Policinë në numrat 126, 129, ose nëpërmjet numrit SOS 112, të njoftojë Qiradhënësin, si dhe t’i dorëzojë detyrimisht Qiradhënësit një kopje të vlefshme të Raportit të Policisë, ose të Vendimit të Gjykatës, për ngjarjen (si brenda territorit të Republikës së Shqipërisë ashtu edhe jashtë tij).
- Dëmshpërblime dhe Gjoba – Duke nënshkruar kontratën, i vetëdijshëm që mospërdorimi i automjetit në përputhje me Përcaktimet dhe Kushtet e Kontratës së Qirasë, apo me rregullat e qarkullimit rrugor, mund të sjellë shpenzime të tjera që do t’i ngarkohen atij në rast dëmesh, humbjesh apo kundërvajtjesh, Qiramarrësi merr përsipër dhe autorizon pagesat si më poshtë:
- Vlerën e plotë të gjobave të vendosura nga organet kompetente dhe të shpenzimeve që lidhen me to, ose trefishin e vlerës, në rast fshehjeje të tyre;
- 1/3 e çmimit të qirasë ditore për çdo orë vonesë; çmimin e plotë ditor për mbi katër orë vonesë; trefishin e çmimit ditor për çdo ditë vonesë;
- 2 Euro për çdo litër karburant mangut dhe vlerën e plotë të një depozite, nëse furnizimi me karburant të përshtatshëm nuk mund të vërtetohet (me kupon tatimor);
- 0,19 euro për çdo kilometër të kryer mbi kufirin e lejuar;
- 200 Euro nëse lejon duhan-pirjen në automjet;
- 20 Euro nëse automjeti dorëzohet i papastër dhe kontrolli për dëmtime të mundshme nuk mund të kryhet;
- 500 Euro nëse drejton automjetin me autorizim të mbaruar, apo lejon drejtimin e tij nga persona të paautorizuar me shkrim nga Qiradhënësi;
- 1000 Euro nëse udhëton apo lejon udhëtimin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, pa autorizimin përkatës me shkrim të Qiradhënësit;
- 1000 Euro nëse Qiramarrësi nuk ja dorëzon personalisht automjetin Qiradhënësit. Dorëzimi vërtetohet vetëm siç përcaktohet në nenin 1 të kësaj kontrate;
- 500 Euro nëse automjeti përdoret në rrugë jashtë specifikimeve të kategorisë tij dhe vlerën e plotë të dëmeve të dukshme apo të padukshme që mund të shfaqen brenda 15 ditëve, si pasojë e keqpërdorimit të automjetit;
- Dyfishin e vlerës së riparimeve dhe pjesëve të ndërruara apo zëvendësuara, nëse këto janë kryer pa autorizimin me shkrim të Qiradhënësit;
- 1% të vlerës së çmimit të qirasë kamatë, për çdo ditë vonesë të pagesës së dëshpërblimeve apo gjobave të ndryshme.
- Përgjegjësia gjatë periudhës së qirasë – Brënda kufizimeve të përcaktuara me ligj, Qiramarrësi çliron Qiradhënësin nga çdo përgjegjësi lidhur me qarkullimin e automjetit dhe për çdo dëm që mund t’i shkaktohet automjetit nga vetë Qiramarrësi apo nga të tretët, gjatë periudhës së qirasë.
Përgjegjësia e Qiramarrësit, e lehtësuar nga sa përcaktohet më poshtë në Nenin 3, pikat 3.1., 3.2., 3.3., 3.4., dhe 3.5. në rast humbjeje, dëmtimi apo vjedhjeje të automjetit të marrë me qira, konsiston në mbulimin e gjithë shpenzimeve që nuk mbulohen nga policat e sigurimit (deri në 20% të vleftës totale te automjetit), për dëmet e dukshme e të padukshme, transportin, humbjen e vlerës së automjetit, si dhe të humbjeve financiare të Qiradhënësit, që vijnë si pasojë e pamundësisë për të përdorur automjetin.
Në rast vjedhjeje të plotë ose të pjesshme të automjetit, e shoqëruar kjo me humbjen ose jo të çelësave me pult, Qiramarrësi mbulon të gjithë vlerën e çmimit të qirasë për gjithë periudhën që nga dita e deklarimit të vjedhjes deri në momentin e rimbursimit/shpërblimit të dëmit nga ana e shoqërisë së sigurimit dhe Qiramarrësi.
Përgjegjësia e Qiramarrësit nuk kufizohet në shumën e depozituar si garanci. Qiramarrësi merr përsipër të gjitha përgjegjësitë civile dhe penale për të gjitha shkeljet, dëmet, apo humbjet gjatë periudhës së qiramarrjes, që vijnë nga veprimet ose mosveprimet e kryera prej tij, ose nga të tjerë.
- SIGURACIONET Dorëzimi i një kopjeje të vlefshme të Raportit të Policisë, ose të Vendimit të Gjykatës, mbi ngjarjen, është KUSHT I DOMOSDOSHËM për të përfituar mbulimin e dëmeve nga siguracionet.
- Siguracioni TPL mbulon dëmet që Qiramarrësi mund tu shkaktojë automjeteve të palëve të treta. Ky sigurim është i përfshirë në çmimin e qirasë.
- CDW & TP është i përfshirë në çmimin e qirasë dhe e zvogëlon detyrimin e Qiramarrësit për dëmet që mund t’i shkaktohen automjetit të tilla si gërvishje, gropëzime, dëmtime të tjera të jashtme, thyerja apo krisje e xhamave, vjedhje e pjesshme apo e plotë, në pagesën e depozitës të lënë si garanci, si më poshtë:
KATEGORITE | DEPOZITA | DAMAGE EXCESS | THEFT EXCESS |
---|---|---|---|
Categories Mini, Ekonomike, dhe Kompakte | 450 Euro | 800-1500 Euro | 1000-1500 Euro |
Kategoria e Mesme dhe e Madhe | 600-800 Euro | 1200-1500 Euro | 6000 Euro |
Kategoria Minifurgona | 600-1500 Euro | 1500-2500 Euro | 6000-10000 Euro |
Kategoria SUV 2WD | 600-1000 Euro | 3000 Euro | 10000-1500 Euro |
Kategoria SUV 4WD | 1500 Euro | 3500 Euro | 15000 Euro |
Kategoria Luksi | 1500-2500 Euro | 2500-3500 Euro | 15000 Euro |
- Siguracioni CDW & TP nuk mbulon: Dëmtimet e shkaktuara nga drejtues të paautorizuar me shkrim nga Qiradhënësi, apo me autorizim të pavlefshëm për arsye të mbarimit të afatit, dëmtimin e rrotave, të gomave, të tasave apo disqeve, dëmtimin e borisë, dëmtimin e shasisë, të pjesës së brendshme të kabinës, humbjen apo dëmtimin e çelësit dhe pultit, të motorrit dhe sistemit të injeksionit si pasojë e furnizimit me karburant të papërshtatshëm, dëmtimet nga paaftësia ose pakujdesia të pjesëve të friksionit dhe të kutisë së ndërrimit të shpejtësisë, dëmtimet e kryera nën efektin e alkoolit apo të drogave të ndryshme, dëmtimet e qëllimshme të shkaktuara përmes shpërthimit, përmbytjes, zjarrvënies, dëmtimet nga aktet keqdashëse në parkim, apo djegjen e pjesës së brendshme të kabinës. Në rast vjedhjeje të plotë dorëzimi i çelësit me pult është kusht për përfitimin e mbulimit.
- Siguracioni FULL RISK PROTECTION është një sigurim shtesë që parapaguhet, i cili aplikohet mbi sigurimin CDW & TP. Në rast aksidenti ai mbulon vlerën e plotë të gërvishjeve, gropëzimeve, dëmtimeve të tjera të jashtme duke rimbursuar pagesën e pjesës së zbritshme nga depozita e garancisë (përjashtuar shpenzimet administrative), që kërkohet në nivelit të Sigurimit CDW & TP, për sa kohë automjeti është dhënë me qira. Ky sigurim përfshin 24/7 ndihmë në rrugë.
- FULL RISK PROTECTION nuk mbulon dëmet e shkaktuara nga drejtues të paautorizuar me shkrim nga Qiradhënësi, apo me autorizim të pavlefshëm për arsye të mbarimit të afatit, humbjen apo dëmtimin e çelësit dhe pultit, dëmtimin e gomave dhe të pjesës së brëndshme të kabinës, dëmtimin e motorrit dhe sistemit të injeksionit si pasojë e furnizimit me karburant të papërshtatshëm, dëmet e kryera nën efektin e alkoolit apo të drogave të ndryshme, dëmtimet e qëllimshme të shkaktuara përmes shpërthimit, përmbytjes, zjarrvënies, djegjen e pjesës së brëndshme të kabinës.
- PËRGJEGJËSIA E QIRADHËNËSIT
Qiradhënësi nuk mban asnjë përgjegjësi për humbjet apo dëmet që mund t’i shkaktohen automjetit gjatë periudhës që ai e ka dhënë atë me qira. Qiradhënësi njeh vetëm përgjegjësitë dhe detyrimet që përcaktohen me ligj.
- TË TJERA
Qiramarrësi nuk rimbursohet në asnjë rast ndërprerjeje të njëanshme e të parakohëshme të kontratës apo kthimi më të hershëm të automjetit.
Në rast shkeljeje të Përcaktimeve dhe Kushteve të Kontatës, Qiramarrësi autorizon Qiradhënësin, pa asnjë kufizim dhe në çdo kohë, të rimarrë në zotërim automjetin, në rrugë jashtëgjyqësore dhe merr përsipër shlyerjen e të gjitha shpenzimeve të rastit.
Qiradhënësi ka dhe ruan të pacënuar të drejtën që të kompensohet apo të dëmshpërblehet, pa kufizim dhe në çdo kohë, nga Qiramarrësi edhe nëpërmjet përdorimit të të dhënave e kartës së kreditit të Qiramarrësit apo të Personit Dorëzanës.
Kjo Kontratë qiraje hartohet në 2 (dy) kopje të njëjta, një prej të cilave e mban Qiramarrësi dhe tjetrën Qiradhënësi.
Mosmarrëveshjet do të zgjidhen në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durres. Me nënshkrimin e kontratës, Qiramarrësi pranon se ka kuptuar plotësisht detyrimet dhe kushtet me të cilat ai merr automjetin me qira dhe se është plotësisht përgjegjës dhe i ndërgjegjshëm për sa ka marrë përsipër.
QIRAMARRËSI ………………………………………………………………………………………